Numër: #155 / 17.02.2005
Reportazh: DHJETË DITË NË NJU JORK (5)

Një adresar si dëshmitar

Në "Albanian Yellow Pages" (2004) është "registruar" tërë bota e madhe e komunitetit shqiptar në Nju Jork.

Bajram Sefaj

Para vetes (mbi tavolinë) kam vëllimin, volumin katërqind faqesh të adresarit me emrin e tij të shënuar (në original) në nëntitull të këtij shënimi. E kam tash, në Prishtinë, në Paris a diku tjetër në Europë, kur nuk më duhet hiç fare. Ky adresar më duhej (si buka!), shumë më parë. Para se të merrja rrugë për në Amerikë.

Më kishte pllakosur paniku. Sikur doja të merrja rrugë drejt një Amerike tjetër, akoma ende të pazbuluar nga Kristofor Kolumbo! Pata çuar peshë jo vetëm Prishtinën por edhe një pjesë të mirë të Kosovës për të shënuar, qoftë edhe një numër të vetëm, telefoni (aman!). T'isha kujtuar o Zot i lum që atij personi të vetëm nga Nju Jorku, numrin e telefonit të të cilit e kisha në xhep, t'i thoja që të ma dërgojë këtë adresar, krejt Nju Jorkun do ta kisha në dorë. Faqet e tij nuk do të ishin të verdha, a si u thonë ndryshe, por sa faqe ka, aq çelësa të artë për mua do të ishin. Por, në anën tjetër, mbase më mirë që nuk e kisha.

Ndrojtja, frika e shqetësimi, e shumë ngjyra të tjera të një udhëtimi të largët do të humbnin shkëlqimin. E pa to qëndrimi në një vend të largët, nuk do të kishte asnjë kuptim. Keni vërejtur edhe ju vetë, sigurisht, sa e këndshme është ndjenja (ndjesia) kur gjendeni në një metropol, sikurse është Nju Jorku, kur nuk e dini nga i bie Lindja as Perëndimi, Jugu as Veriu. Është kjo ndjenjë e këndshme pasigurie, qoftë edhe atëherë kur mund të kushtojë shtrenjtë e të gabosh directionin e trenit të nëndheshëm kur ka aq shumë drejtime e kryqëzime.


Kthejmë (strehohemi) sërish midis faqeve të verdha (apo dhe të kaltra) të adresarit, kur më parë se një adresar i rëndomt (për)njëmend është një dëshmitar (okular) i numrit të madh të shqiptarëve gjithandej në Amerikë e sidomos në Nju Jork.

Gjithmonë në Amerikë ka pasur shumë shqiptarë. Janë të njohur kolonitë shqiptare atje. Janë të njohura veprimtaritë e tyre kulturore (e politike), rreth "Vatrës" e vatrave të tjera veprimtarësh të shquar shqiptarë (Noli, Konica e të tjerë). Është e njohur diaspora e moçme shqiptare që ka dhënë (nxjerrë) njerëz të shquar të biznesit, duke i rreshtuar ata ndër pasunarët më të mëdhenj të këtij (grup)shteti, kur është më i pasuri në botë. Dhe, s'do mend se ne (gjithshqiptarët) jemi krenarë për këtë. Por, ja se asaj diasporës së parë, paksa më të hershme, kohëve të fundit i është shtuar edhe një numër i madh i shqiptarëve të ikur nga Shqipëria dhe Kosova që janë dyndur në Amerikë, edhe në Nju Jork, pra. Dhe, gjithmonë e përherë, ngjet kështu: kur përballesh me skamjen ekstreme, me therrorin ekonomik e politik, kur je i kërcënuar me vdekje e shfarosje, duhet tzia mësysh dikah. Lufta për ekzistencë (shpëtim) nuk është veçori as privilegj i qenies njerëzore, ai është instikt i përbashkët i të gjitha qenieve të gjalla në këtë botë. Kështu, diaspora (e vjetër) ekziston shumë vjet më parë në Amerikë, por vështirë të ketë nxjerrë adresar të vetëm (të posaçëm) madje me katërqind faqe vetëm për shqiptarë. Për të renditur jo vetëm emrat, adresat, numrat e telefonit, por edhe të regjistrit të pafund të firmave, lokaleve, restoraneve, punëtorive dhe agjencive ndër më të ndryshmet. Për të hedhur në letër vetëm një pjesë të vockël të tyre, lypsen po aq faqe sa zënë ato në adresar. Prandaj, këtë gjezdi (pa bezdi, besojmë) po e përfundojmë edhe vetëm me një të dhënë, si ilustrim. Në kolonën që zë faqen 171 të adresave dhe numrave të telefonit të mbiemrave Shkreli, janë të radhitur 80 plus dy (njëri Shkrelja tjetri Shkrelji), që me siguri janë me origjinë nga viset shqiptare të Malit të Zi, bash sikur nga Vërmoshi është edhe koreografi ynë me famë botërore, Angjelin Preljocaj, që për shkak të Lj-së që është shkronja e alfabetit sllav, francezët, sot e kësaj dite, emrin e tij e shqiptojnë Prelzhokazh. E, sikur me të zbritur atje (në Paris) në grafinë (alfabetin) shqip, sigurisht se mbiemrin në Francë do tzia shqiptonin ndryshe!). Me (krejt) këtë baladë, duke rrëfyer për një adresar, nuk synuam tjetër pos të vëmë në pah sa i madh është sot numri i (gjithë)shqiptarëve në Nju Jork dhe gjithandej në Amerikë.
Të gjitha të dhënat, madje të hollësishme, lidhur me këtë botim (zbulim timin të vonuar) lexuesi do tzi gjejë (apo veç i ka gjetur në faqet 267-270 të librit "Shqiptarët e Amerikës", kur sjellin përgjigjet e detajizuara të z.Ismer Mjeku, botues i "Albanian Yellow Pages".
Moz Zot deshëm të themi se kjo është një gjë e mirë? Jo! Assesi e kurrën e kurrës!
Ikja nga vendlindja, braktisja e atdheut nuk ka qenë, nuk është kurrë, nuk do të jetë një gjë e mirë. Zoti e bekoftë Amerikën, me siguri se mund të urojmë edhe pa ia "falur" asaj një pjesë të mirë të popullit shqiptar ku është pjesa më vitale e tij. Medet! Kur avazi i moçëm i zbrazjes së trojeve tona (etnike!) vazhdon se vazhdon. Ja, (shikoje!) vështroje "Illyrinë", numrin e sotëm (1352) të saj, 18-2 i qershorit, krejt faqja 35, është e mbushur me emrat e fituesve të ashtuquajturës Lotari e SHBA-së! Kësaj radhe, të përzgjedhur janë: 26 nga Tirana, 20 nga Korça, 2 nga Vlora, 2 nga Bilishti, 2 nga Shkodra, 5 nga Berati, 5 nga Kuçova, 5 nga Patosi, 3 nga Ereska, 4 nga Elbasani, 19 nga Fieri, 1 nga Durrësi, Ballshi, Lushnja, Librazhdi, Gramshi, Prrnjasi, Gjirokastra, Bureli, Puka, Kopliku, Kaliqi, 3 nga Lezha dhe 10 nga Pogradeci. Gati-gati nga të gjitha viset e Shqipërisë. Lexuesi i ngeshëm dhe kureshtar e ka lehtë të llogarisë se sa shqiptarë i ka "gëlltitë" - Lotaria e SHBA-së kësaj radhe, por si të vihen në "hesap" të gjithë ata të tjerë që ndërkohë, (para e pas këtyre këtu!) kanë fituar këtë lotari pë të marrë këtë "Rrugë pa kthim".